Përmirësimi i efiçencës së energjisë dhe shfrytëzimi i burimeve të energjive të rinovueshme në rajonin ndërkufitar



Në kuadër të programit IPA Shqipëri - Maqedoni pranë Këshillit të Qarkut Korçë është organizuar takimi i parë për prezantimin e projektit " Rritja e efiçencës së energjisë dhe shfrytëzimi i burimeve të energjive të rinovueshme në rajonin ndërkufitar". Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga palët partnere:MACEF (qëndra maqedonase për efiçencën e energjisë), QEE (qëndra për efiçencën e energjisë në Shqipëri), qëndra për zhvillimin e rajonit planor jugperëndimor të Maqedonisë, Këshilli i Qarkut Korçë dhe njësi vendore.Qëllimi i projektit është përcaktimi dhe rritja e shfrytëzimit të burimeve të energjisë së rinovueshme dhe efiçencës së energjisë në rajonin ndërkufitar. Takimi është hapur nga znj , Irena Nikaj, Kryetare e Këshillit të Qarkut Korçë, e cila ka falenderuar pjesëmarrësit dhe ka cilësuar projektin si mjaft të rëndësishëm për rajonin e Korçës. Më pas z. Edmond Hibo , përfaqësues i QEE ka prezantuar për gjithë të pranishmit projektin me pjesët përbërëse të tij.Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, administrata publike, përdoruesit e institucioneve publike dhe publiku do të jenë përfituesit dhe zbatuesit e parë të projektit. Sipas Z. Hibo, Korça ka potenciale të konsiderueshme për të shfrytëzuar si burime të energjisë së erës, energjisë diellore dhe HEC-eve.Përdorimi i tyre do të mundësojë pakësimin e ndotjeve të mjedisit dhe ruajtjen e burimeve natyrore duke penguar dhe fenomenin e prerjeve të pyjeve. Fushata për rritjen e ndërgjegjësimit do të mundësohet nëpërmjet anketimeve të ndryshme që do të kryhen dhe takimeve që do të zhvillohen me banorë të rajonit të Korçës. Veprimtari të tjera të projektit do të jenë kryerja e 4 auditimeve energjitike në ndërtesat publike. Projekti do të përmbyllet me një studim, ku do të përcaktohen mundësitë për shfrytëzimin e burimeve të energjisë së rinovueshme. Prezantimi i palëve partnere ka vazhduar me Këshillin e Qarkut Korçë. Në emër të tij ka folur Z. Vangjush Dishnica, Drejtor i Drejtorisë së Projekteve Komunitare. Korça është rajon me potenciale të konsiderueshme në burime natyrore ,trashëgimi kulturorë dhe mundësi ekonomike. Përsa i përket zhvillimit të saj , sektorë prioritarë ka turizmin dhe bujqësinë, edhe pse ndërtimi, konfeksionet dhe fabrikat e përpunimit po njohin rritje dita - ditës. Z. Dishnica ka përmendur tërësinë e projekteve të implementuara në rajon, të cilat kanë mundësuar një zhvillim më të qëndrueshëm social, ekonomik dhe kulturor. Pala maqedonase është prezantuar nëpërmjet znj, Daniela Trpkuska. Partnërët tanë kanë sjellë përvojën dhë eksperiencën e tyre përmes zbatimit të projekteve në fushën e energjisë. Fjalën e kanë marrë dhe përfaqësues të pushtetit lokal. Z Ali Laho,Kryetar i Bashkisë Ersekë ka falenderuar organizatorët e takimit dhe ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e përdorimit të energjisë efiçente dhe për Ersekën. Takimi i parë prezantues ka qënë mjaft frytdhënës jo vetëm për pjesëmarrësit në të, por dhe për ndikimin e gjerë që do të ketë në komunitet. Forcimi i bashkëpunimit mes shteteve fqinjë do të çojë në një zhvillim më të qëndrueshëm të zonave ndërkufitare. Përdorimi i energjisë në mënyrë efiçente(përmes paneleve diellorë, llambave ekonomike etj)do të mundësojë kursimin e energjisë dhe ruajtjen e burimeve natyrore. Sikusrse u shpreh dhe Z. Laho ,të tilla aktivitete jo vetem që shtojnë njohuritë në fusha të ndryshme por dhe japin shtysën për aplikim të teknologjive të reja në dobi të komunitetit .