Komiteti i Vlerësimit të Nevojave dhe Planifikimit të Shërbimeve të Reja në Komitet vendos për sistemimin e dy fëmijve të braktisur pranë Shtëpisë së Foshnjës " Lulet e Vogla"

Fotot nga takimi



Një ndër plagët e shoqërisë shqiptare është braktisja e fëmijve të vegjël. Në pamundësi të përkujdesjes nga ana e prindërve apo të afërmve të tyre , fëmijët kalojnë me miratimin e Komitetit të Vlerësimit të Nevojave dhe Planifikimit të Shërbimeve të Reja në Komunitet, nën kujdesin e Shtëpisë së Foshnjës. Pamundësia financiare dhe sociale për të rritur fëmijët e tyre, ka bërë që nënat e tyre të marrin vendimin e vështirë për të kërkuar ndihmë nga strukturat përkatëse për mirërritjen e fëmijve në një strehë më të sigurt. Pranë Këshillit të Qarkut Korçë është organizuar mbledhja e Komitetit të Vlerësimit të Nevojave dhe Planifikimit të Shërbimeve të Reja në Komunitet e cila ka marrë në shqyrtim dy dosje . Në takim kanë marrë pjesë Kryetarja e Këshillit të Qarkut Znj. Irena Nikaj, e cila ka përshëndetur takimin dhe ka falenderuar të gjitha institucionet që ndërmarin nisma të tilla duke mundësuar zgjidhjen e problemeve sociale. Bashkia Korçë dhe Komuna Drenovë kanë paraqitur dy dosje pranë Komitetit të ngritur në qark. Në tryezë janë hedhur mendime të ndryshme nga përfaqësues të institucioneve si Drejtoria e Policisë, Drejtoria e Shërbimit Social Shtetëror, Shtëpia e Foshnjës etj. Në të dyja rastet është marrë parasysh mosha e vogël e fëmijve prej 8 muajsh të cilët nuk mund të qëndrojnë pranë familjes së tyre. Përsa i përket dosjes së bashkisë Korçë është menduar strehimi i përkohshëm i fëmijës në Shtëpinë e Foshnjës " Lulet e Vogla" dhe më pas gjetja e mundësimit për punësimin e nënës së fëmijës. Komiteti mbështetur në VKM nr. 425 dt 27.06.2012 " Për përcaktimin e kritereve dhe të dokumentacionit të nevojshëm për pranimin e personave në institucionet rezidenciale, publike dhe jopublike, të përkujdesit shoqëror, me vota të plota ka vendosur për sistemimin e të dy fëmijve pranë Shtëpisë së Foshnjës " Lulet e Vogla". Ngritja e strukturave të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore ka për qëllim ndihmën dhe mbështetjen për individë dhe grupe në nevojë të cilët nuk plotësojnë nevojat bazë jetike, zhvillimin e aftesive për shkak të mundësive të kufizuara ekonomike. Duke vepruar të gjithë së bashku për rritjen e cilësisë së jetës së banorëve të rajonit ne kontribuojmë në një të ardhme më të mirë. Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe kanë nevojë për ushqim, strehe , ngrohtësi dhe dashuri. Raste të tilla shërbejnë për sensibilizimin e shoqërisë drejt një të mire të përbashkët për të gjithë.