TOURACT - Mundësi për zhvillimin e turizmit në rajon



Në kuadër të programeve ndërkufitare me financim nga BE, Këshilli i Qarkut Korçë ka fituar projektin TOURACT me titull " Plani i veprimit për promovimin e zonës ndërkufitare si një destinacion konkurues turistik". Objektivi i përgjithshëm i projektit është të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe subjekteve të rajonit kufitar, në mënyrë që të zhvillojnë qasje të përbashkëta në lidhje me forcimin e aktiviteteve ekonomike lokale dhe zhvillimin e burimeve njerëzore lokale, me theks të veçantë në aktivitetet e përbashkëta ndërkufitare për zhvillimin e turizmit të qëndrueshem. Partnerë të projektit janë : Rajoni i Maqedonisë Perëndimore, Këshilli i Qarkut Korçë, Bashkia Kostur, Komuna Voskopojë dhe Bashkia e Prespës. Në vazhdën e aktiviteteve të zhvilluara nga projekti TOURACT , në datën 19 Qershor është zhvilluar dita e dytë informuese. Takimi është përshëndetur nga Kryetarja e Këshillit të Qarkut Znj. Irena Nikaj. Rajoni i Korçës ka potenciale turistike interesante dhe me shumë perspektivë prandaj në zonat më tërheqëse ,ka kohë që po zhvillohet një veprimtari e qëndrueshme turistike me vlerë për zhvillimin ekonomik dhe kulturor - është shprehur znj. Nikaj.Vëmendje të veçantë i ka kushtuar Voskopojës si një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe natyrës së bukur. Kryetarja e Këshillit të Qarkut ka shprehur mbështetje për të gjitha projektet që kanë në fokus zhvillimin intesiv të turizmit në rajon. Pjesëmarrësit në këtë veprimtari kanë patur mundësi të njihen me qëllimet, veprimtaritë, shtrirjen gjeografike dhe produktet konkrete të projektit nëpërmjet prezantimit të bërë nga ekspertja Thomaidha Roxha . " Korça si një destinacion turistik" ka tërhequr vëmendjen për shfrytëzimin e mundësive të shumta që kemi ne si rajon. Diskutimet me menaxheren e projektit Znj Xheni Prenda kanë sjellë të tjera ide dhe propozime për tu përfshirë në projekt. Aktivitete të projektit janë: - Një plan strategjik i përbashkët marketingu për zhvillimin e turizmit në zonën kufitare me theks të veçantë në zhvillimin e formave alternative të turizmit. - Ngritja dhe funksionimi i një rrjeti bashkëpunimi, i cili do të ketë mjedise pune në Kostur dhe Korçë. - Një memorandum bashkëpunimi, një logo të përbashkët dhe një plan veprimi për zhvillimin e rrjetit. - Zhvillimi i Sistemit të Menaxhimit të Destinacioneve (DMS). - Hartimi i një seri hartash të përbashkëta, duke përfshirë rrugët tematike turistike në të gjithë zonën kufitare në letër dhe në formë digjitale. - Zhvillimi i një portali tri gjuhësh me turne virtuale, bazuar në rrugët tematike të propozuara. - Vendosja e shenjave treguese në rrugët tematike të propozuara, si dhe vendosjen e tabelave me hartat ( 2 në Kastoria dhe 2 në Korçë). - Prezantimi i rrugëve tematike të propozuara nëpërmjet organizimit të një turi 3-ditor, për operatorët turistikë dhe përfaqësuesit e institucioneve publike që kanë departamente për turizmin. - Blerjen dhe vendosjen e një kioske informacioni në Korçë. - Informimi i publikut në lidhje me format alternative të turizmit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin ndërkufitar. - Materiale të posaçme për komunikimin e aktiviteteve të projektit dhe potencialet e turizmit në rajonin kufitar (Ditë Informuese, Konferencë Përmbyllëse e projektit, spote në radio, promovime në faqe interneti, broshura dhe një guidë turistike të përbashkët në tri gjuhë). Periudha e implementimit të projektit është 01.05.2012 - 31.10.2014. Në vazhdimësi hapat e zbatimit të projektit do të shoqërohen dhe me përfshirjen e komunitetit duke krijuar një impakt pozitiv për një zhvillim të qëndrueshëm. Projekte të tilla hapin shtigje të reja për shfrytëzim mundësish dhe gjenerim të ardhurash. Promovimi i turizmit do të mundësojë ndërgjegjesimin e grupeve të interesit për të përdorur kapacitetet në në ngritjen e rrjetit të turizmit. Bashkëpunime të tilla shërbejnë si ura ndërlidhje mes shteteve fqinje duke forcuar imazhin e zonave ndërkufitare.