Panariti përkujton 100 vjetorin e masakrës greke

Pamje nga ceremonia perkujtimore



Këshilli i Qarkut Korçë, Shoqata Atdhetare Kulturore e Krahinës së Vakëfeve dhe Komuna Vithkuq kanë organizuar në fshatin Panarit, ceremoninë përkujtimore të 100 vjetorit të masakrës greke në Panarit (10 Korrik 1914). Ceremonia është zhvilluar në kujtim të shpirtrave të 374 martirëve panaritas që u masakruan barbarisht nga andartët grekë më 4-10 Korrik 1914 ,si dhe të 76 viktimave muhaxhirë që humbën jetën nga uria dhe epidemitë në Berat, Mallakastër, Fier dhe Ullishtat e Vlorës. Në nderim të vikimave kanë marrë pjesë Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave Edmond Panariti, deputetët Arta Dade dhe Pirro Kapurani, Prefekti i Qarkut Korçë Ardit Konomi, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë Irena Nikaj, Kryetari i Komunës Vithkuq Azis Panariti, përfaqësues nga shoqata atdhetare, drejtues institucionesh dhe banorë të zonës. Veprimtaria ka filluar me përurimin e obeliskut ,( ngritur me kontributin e Shoqatës Atdhetare Kulturore të Krahinës së Vakëfeve të Korçës ) dhe vendosjen e kurorave dhe buqetave me lule. Ato janë vendosur nga deputetët Arta Dade dhe Pirro Kapurani, Ministri Edmond Panariti, Prefekti i qarkut Ardit Konomi, Kryetarja e KQ Irena Nikaj, përfaqësues nga komunitetet fetare, bashkitë (Përmet, Fier, Tiranë, Vlorë, Ersekë, Poliçan, Çorovodë), komuna Vithkuq dhe drejtues të strukturave të tjera shtetërore. Kryetari i Komunës Vithkuq Azis Panariti u ka uruar mirëseardhjen gjithë të pranishmëve në ceremoni, duke shprehur vlerësim për ngjarjen dhe historinë e trevës. Aktiviteti është përshëndetur nga deputetja e qarkut znj Arta Dade dhe ministri Edmond Panariti. Në fjalën e tyre ata theksuan vërtetësinë e historisë së trevës dhe mesazhit që duhet të përcjellë kjo masakër në brezat pasardhës. Të dhënat historike tregojnë se harmonia fetare në këto zona ka qënë ekzistente, kjo dëshmohet dhe me veprat e tyre kur banorë të besimit ortodhoks shpëtuan nga dora vrastare dhjetra njerëz të besimit mysliman. Klima e dialogut duhet të jetë mbikqyrsja e vetme në të gjitha shtetet mes komuniteteve dhe etnive. Masakra e Panaritit është një histori tragjike që mbart një mesazh të fuqishëm dhe për rajone dhe vende të tjera si Maqedonia, ku shqiptarët duhet të trajtohen të barabartë me të gjithë. Prefekti i qarkut Korçë, Ardit Konomi solli në vëmendje ngjarje të treguara nga brezat paraardhës të familjes së tij, sesi njerzit kishin ndihmuar në këtë zonë njëri tjetrin duke përcjellë idenë se ndihma, toleranca dhe bashkëpunimi e nxjerrin shoqërinë nga e keqja. Në emër të Këshillit të Qarkut, Kryetarja Irena Nikaj ka shprehur respektin dhe përkuljen e thellë në nderim të 374 viktimave të pafajshme që humbën jetën në rrethana tragjike. Panariti dhe rrënimi i saj njerëzor dhe material vazhdon të jetë një dëshmi se çfarë nuk duhet tu ndodhë të pafajshmëve- theksoi ajo. Ne duhet të kujdesemi që të rrisim paqe, mirëkuptim, tolerancë dhe bashkëpunim mes nesh duke punuar që Shqipëria dhe Panariti së bashku me të , të lulëzojë dhe të rrojë e qetë në shekuj. Jemi duke ecur si europianë dhe të bëjmë vepra të mira për Shqipërinë dhe të ardhmen - ka përfunduar Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë. Gjatë veprimtarisë janë recituar poezi atdhetare dhe patriotike nga rregjisori i njohur Dhimitër Orgocka dhe Islam Kondi, ndërsa prezantimi i ngjarjes së Panaritit është bërë nga Petrit Zeneli. Aktiviteti është përmbyllur nga përfaqësuesi i Shoqatës Atdhetare Kulturore të Krahinës së Vakëfeve z Lutfi Topçiu. Veprimtari të tilla shërbejnë për të vlerësuar ngjarjet historike të vendit tonë, për tu përulur ndaj jetëve të rëna dhe për tu kujtuar brezave të rinj për sakrificat e bëra nga të parët tanë. Gjithashtu ne u kujtojmë të gjithëve se dhuna, aktet barbare janë pjellë e së keqes prandaj duhet të rritet dashuria dhe bashkëpunimi mes shteteve të ndryshme , duke bërë që të gjithë të respektohen dhe të vlerësohen në emër të së ardhmes dhe së mirës.