KONFERENCA E 16-të E GRUPIT TË PUNËS PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

KONFERENCA E 16-të E GRUPIT TË PUNËS PËR BALLKANIN PERËNDIMOR



Drejtues rajonalë dhe lokalë nga Shqipëria dhe Bashkimi Europian u mblodhën ditën e martë në 11 nëntor 2014 në qytetin e Durrësit ne Konferencen e 16-të të Grupit të Punës për Ballkanin Perëndimor. Kjo konferencë përqëndrohet në përfshirjen e autoriteteve lokalë dhe rajonalë në projektet e bashkëpunimit ndërkufitar. Në konferencë mori pjesë edhe Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë znj. Irena Nikaj. Pas fjalës së mirëseardhjes së mbajtur nga z. Alfred Mullaraj Kryetar i Këshillit Rajonal të Durrësit, takimin e vijoi deklarata e z. Jean-Louis Destans (FR/PES), Kryesues i Grupit të Punës për Ballkanin Perëndimor, President i Këshillit të Përgjithshëm Eure. Pjesëmarrësit i përshëndeti me fjalën e saj edhe znj Romana Vlahutin, Ambasadore, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Pasqyrimin e arritjeve dhe zhvillimeve të deritanishme të Qarkut Korçë e bëri Kryetarja e Qarkut znj. Irena Nikaj. Në diskutimin e saj ajo paraqiti projektet më të rëndesishme në të cilat është pjesëmarrës Qarku Korçë si : projekti TURACT dhe ai INACT, objekt i të cilëve është zhvillimi i mëtejshëm i turizmit dhe biznesit në rajonin e Korçës. Aty u vlerësua Qarku Korce si një qark me nivel të lartë zhvillimi, me zhvillim të lartë të burimeve njerëzore bile u vlerësua si qarku me zhvillimin më të lartë në vend. Në konferencë u paraqit një panoramë e qartë e mënyrës se si funksionon Qarku gjë që është e lidhur ngushtë me realizimin e këtyre projekteve të rendesishme dhe që e bën një qark me nivel të lartë zhvillimi në bujqësi, turizëm si edhe në fusha të tjera të veprimtarisë prodhuese. Një çështje shumë e rëndësishme e trajtuar në këtë konferencë ishte përzgjedhja e strategjive të zhvillimit. Është shumë e rëndësishme të bëhet përcaktimi dhe përzgjedhja e duhur e strategjive që duhen ndjekur për të përmbushur sfidat dhe objektivat tona për rritjen e nivelit të zhvillimit në rajon. Në kuadër të ndarjes së re administrative, u vlerësua përzgjedhja e re e njësive vendore administrative si një mundësi shumë e mirë për rivlerësimin e kapaciteteve natyrore dhe njerëzore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit dhe në mënyrë harmonike. Kjo do të sjellë përvec të tjerash: - Rritje të mundësisë për punësim duke aktivizuar më mirë burimet natyrore - Pakësim të pabarazisë dhe varfërisë - Funksionim më të mire të qeverisjes vendore dhe realizimit të kompetencave dhe përgjegjësive që ajo ka në nivel Qarku dhe të qeverisjes vendore. Te gjitha idetë dhe projektet e bashkëpunimit ndërkufitar të sjella në takim i japin një shtysë edhe më të fortë perspektivës dhe zhvillimit rajonal.