Pasqyrë e situatës në rrugët rurale të Qarkut Korçë



Këshilli i Qarkut Korçë dhe Drejtoritë e mirëmbajtjes së rrugëve në përbërje të tij vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi maksimale detyrën dhe funksionin e tyre për të përballuar situatën e krijuar si pasojë e kushteve shumë të vështira atmosferike. Duke punuar me intensitet dhe gatishmëri të lartë është bërë e mundur që situata e qarkullimit në rrugët rurale të qarkut Korçë, përpos vështirësive në rritje si pasojë e përkeqësimit të motit, të jetë e përmirësuar. Një informacion më i detajuar i kësaj situate paraqitet si më poshtë: Përgjithsisht, rrugët rurale në Rrethin e Korçës janë të gjitha të kalueshme me zinxhirë si pasojë e akullit të krijuar nga ngricat e vazhdueshme. Rrugët e Vithkuqit kanë qenë të hapura, por probleme ka shfaqur rruga Vithkuq-Shtyllë e cila ishte pjesërisht e bllokuar. Janë dërguar menjëherë fadroma puna e të cilave mundësoi zhbllokimin e këtij aksi rrugor. Po kështu, për të bërë të mundur zhbllokimin e aksit Lekas-Voskopojë, Këshilli i Qarkut Korçë ka mobilizuar përveç mjeteve te tjera edhe një traktor, pasi fadroma me gjithë punën e pakursyer dhe deri në orët e vona, nuk ka mundur ta zhbllokojë plotësisht rrugën për shkak të trashësisë së borës dhe akullit. Edhe momentalisht po vazhdon puna me intesitet dhe perkushtim deri sa të arrihet zhbllokimi edhe i këtij aksi rrugor. Sa i përket rrugëve të Rrethit të Bilishtit, ato janë të gjitha të kalueshme me dhe pa zinxhirë. Rrugët e Rrethit të Kolonjës vazhdojnë të jenë pa asnjë problem. Edhe rrugët e Rrethit të Pogradecit nuk paraqitin asnjë problem, janë të gjitha të kalueshme me zinxhirë për shkak të akullit të krijuar si pasojë e shiut dhe ngrices që ka pasuar atë. Vazhdon hedhja e kripës dhe shllakut në të gjitha akset rrugore nën administrimin e Këshillit të Qarkut Korçë. Edhe në ditët në vazhdim, puna e Këshillit të Qarkut Korçë dhe e Ndërmarrjeve të Mirëmbajtjes së Rrugëve në përbërje të tij, do të vazhdojë me të njëjtin rritëm, gatishmëri dhe përgjegjshmëri për të përballur çdo situatë të mundshme të krijuar si pasojë e kushteve të vështira të motit.