Qarkullimi në rrugët rurale të Qarkut Korçë



Këshilli i Qarkut Korçë ka ndjekur dhe ndjek me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë situatën e rrugëve rurale nën administrimin e tij, që nga momenti i fillimit të rreshjeve të borës dhe deri tani. Në sajë të punës së këtij institucioni dhe Ndërmarrjeve të Mirëmbajtjes së Rrugëve Rurale në varësi të tij, u bë e mundur që të gjitha akset rrugore nën administrimin e Këshillit të Qarkut Korçë të jenë të kalueshme dhe pa probleme në qarkullim edhe në këto ditë me ngrica dhe temperatura shumë të ulëta. Kështu, të kalueshme dhe pa probleme në qarkullimin e mjeteve janë të gjitha rrugët rurale të Rrethit të Bilishtit, Kolonjës dhe Pogradecit. Edhe aksi rrugor Voskopojë-Lekas-Marjan, i cili paraqiste pjesërisht probleme në qarkullim, që prej ditës së djeshme është plotësisht i zhbllokuar falë punës së forcave dhe mjeteve deri në orët e vona. Aktualisht, të gjitha rrugët rurale të qarkut Korçë janë jo vetëm të kalueshme, por edhe pa problem në qarkullimin e mjeteve. Puna e Ndërmarrjeve të Mirëmbajtjes së Rrugëve Rajonale Rurale në varësi të Këshillit të Qarkut Korçë, edhe në ditët në vazhdim, do të fokusohet jo vetëm në mirëmbajtjen e të gjitha akseve rrugore rurale por edhe në marrjen e të gjitha masave për përballimin e çdo situate të mundshme të krijuar si pasojë e përkeqësimit të kushteve të motit.