Qarku Korçë prezanton programin parapërgatitor për në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës



Në kuadër të fazës përgatitore lidhur me pjesëmarrjen në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, për të cilën Këshilli i Qarkut Korçë është në rolin e organizatorit dhe mbështetësit, ditën e sotme në ambjentet e Qendrës Kulturore "Vangjush Mio", përpara grupit të specialistëve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike u prezantua programi parapërgatitor me të cilin Qarku i Korçës do të përfaqësohet në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Ky prezantim u ndoq edhe nga Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë , znj. Irena Nikaj. Grupi i specialistëve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike përbëhej nga : Thoma Gaqi- Drejtor Artistik i Festivalit, Bledi Laço Regjizor i Festivalit, Meri Kumbe Drejtoreshë e Qëndrës Kulturore të Veprimtarive Folklorike, Agron Xhangolli nga Instituti Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Arjan Avrazi dhe Genc Bejleri nga Ministria e Kulturës, Jonida Çunga dhe Ermal Sela nga QKVF. Pas prezantimit të programit, grupi i specialistëve, në një takim me grupin organizues të tij, vlerësoi maksimalisht cilësinë dhe organizimin e programit. Ky finalizim i suksesshëm i kësaj faze përgatitore tregon seriozitetin me të cilin është punuar, angazhimin dhe përkushtimin për këtë ngjarje kaq të madhe të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.