40 Vjet Ansambli Artistik "Skënderbeu"



Kryetarja e Këshillit të Qarkut Znj Ana Verushi mori pjese ne koncertin e madh festiv me rastin e 40 vjetorit të krijimit të Ansamblit Artistik "Skënderbeu" e organizuar nga qëndra e Artit dhe Kulturës e Bashkisë së qytetit të Korçës. Në koncert morën pjesë Prefekti i Qarkut Korçë Z.Ardit Konomi, Kryetari i Bashkisë Z. Sotiraq Filo, artistë dhe shume artdashës korçarë.   
       Në fillim të shfaqjes muzikologu Prof. Asc. Josif Minga bëri një përshkrim të rrugëtimit të këtij ansambli në vite, ku vlerësoi kontributin e këngëtarëve, valltarëve, instrumentistëve dhe drejtuesve të këtij ansambli.
Koncertet e shumta të artistëve korçarë brenda dhe jashtë vendit i kanë shërbyer ruajtjes dhe propogandimit të vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore dhe shprehjes të kësaj trashëgimie me mjete të ndryshme shprehje, siç është kënga dhe vallja popullore.
Nën tingujt e orkestrës u interpretuan vallet tradicionale të zonave të ndryshme të vendit, të cilat me kalimin e kohës janë konsoliduar më shumë si karakter dhe si performancë.
Valltarit Ali Beli, iu dorëzua një Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e qytetit të Korçës, për kontributin e tij ndër vite pranë këtij ansambli.