Projekti TAP kalon në fazën e ndërtimit të tubacionit



Gjatë muajit Mars 2015 do të fillojë ndërtimi i rrugëve të kalimit të tubacionit të gazit nga projekti TAP. Lajmi bëhet i ditur nga ekipi i punës së projektit TAP, gjatë takimit të organizuar pranë Këshillit të Qarkut Korçë me përfaqësues të njësive vendore , agjensi mjedisore dhe struktura të tjera të përfshia në të. Gazsjellësi TransAdriatik ( TAP) është një projekt i tubacionit të gazit natyror. Tubacioni do të fillojë në Greqi, duke kaluar në Shqipëri dhe detin Adriatik , më pas përfundon në jug të Italisë. Në Republikën e Shqipërisë TAP prek 38 komuna. Gazsjellësi është rreth 863 km i gjatë dhe do të ketë mundësinë të furnizojë Evropën me 10 miliard metra kub gaz të ri në vit duke filluar nga viti 2019. Projekti përfshin një tubacion prej 200 km të gjatë , dy instalime madhore, 10 valvula bllokimi shumë të vogla dhe ambjente të përkohshme që do të duhen për kohën e ndërtimit. Gjurma është përzgjedhur në mënyrë që të shmangen pronat rezidenciale. Gjatë takimit të zhvilluar pranë Këshillit të Qarkut Korçë është folur për fazën ku ka arritur projekti dhe vlerat e kompesimit për tokën në të cilën kalon tubacioni . Ndikimet e projektit shtrihen dhe në njësi vendore të qarkut Korçë si :Bashkia Bilisht, Komuna Drenovë, Komuna Hoçisht, Komuna Miras, Komuna Mollaj, Komuna Pojan, Komuna Progër, Komuna Qëndër Bilisht, Komuna Qëndër Bulgarec, Komuna Voskop dhe Komuna Vithkuq. Të pranishmit në takim janë njohur me parimet e kompesimit të cilat janë në përputhje me legjislacionin shqiptar, dhe kompesimin e tokave apo të mbjellave , i cili do të bëhet bazuar në vlerën aktuale të tregut. Në fazën e ndërtimit do të merren dhe tokë shtesë me qera që do të përdoren për sheshe ndërtimi , vendqëndrim paisjesh apo magazina ndërtimi. TAP do të lidhë marrëveshje për të blerë tokën nga pronarët, duke e patur atë në pronësi të plotë dhe të përhershme me të drejta të plota për të ndërtuar dhe operuar facilitate ndërsa për korridorin e ndërtimit të gazsjellësit do të marrë me qera tokën për një kohëzgjatje maksimale prej dy vitesh. Kompesimi për korridorin e ndërtimit do të përfshijë një tarifë qeraje bazuar në të ardhurat vjetore bujqësore, kompesim për të mbjellat aktuale dhe kompesim për kufizimet. Në rastet kur toka punohet nga një përdorues që nuk është pronari i tokës, kompesimi do të bëhet për pronarin dhe përdoruesin. Qarku i Korçës ka në administrim dy rrugë, të cilat do të përdoren nga projekti TAP dhe më pas këto rrugë do të asfaltohen dhe shtrohen për tju kthyer banorëve të komunës Vithkuq në gjëndje normale, për qarkullimin e mjeteve dhe njerzve. Përveç diversifikimit në furnizimin me gaz për Europën, tubacioni i TAP do të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për Europën Jugore , veçanërisht dhe për Shqipërinë. Zbatimi i TAP do të kushtojë rreth 1 miliard dollar , çka do të nxisë aktivitetin ekonomik në tërësi dhe zonat ku do të kalojë. Përfitimet do të jenë në hapjen e vendeve të punës, krijimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e potencialeve lokalë. Projekti TAP do të nxitë investitorët e huaj për të zhvilluar aktivitetin e tyre ekonomik në Shqipëri.