Koço Gliozheni mer titullin " Nderi I Qarkut"( pas vdekjes)



Profesor Koço Glozheni, zë një vend nderi dhe gëzon një respekt të veçantë, sepse jeta dhe aktiviteti i tij krijojnë ndjeshmëri humane të veçantë, që lidhen me vlerën e paçmuar të vetë jetës. Ishte kërkesa e shoqatës dardhare " Shpresa" drejtuar Kryetares së Këshillit të Qarkut , znj Irena Nikaj, që në cilësinë e autoritetit propozues i kërkoi Këshillit të Qarkut miratimin e kërkesës për dekorim të mjekut Koço Gliozheni. Ceremonia e dekorimit është zhvilluar ditën e Shtunë, date 20.09.2014 , pranë Këshillit të Qarkut Korçë. Në të kanë marë pjesë : Kryetarja e Këshillit të Qarkut znj Irena Nikaj,Prefekti i qarkut Z. Ardit Konomi, deputetët Ilirjan Pendavinji dhe Ylli Ziçishti, Kryetari i Bashkisë Korçë z. Sotiraq Filo, Zv/kryetar i KQ z.Alfred Pere, kolegë dhe të afërm të familjes Gliozheni. Momente të jetës së profesor Koço Gliozhenit të shpalosura në videoprojektor kanë çelur veprimtarinë duke krijuar një atmosferë prekëse . Më pas, Sekretari i Këshillit të Qarkut Korçë z. Bledi Çomo ka mbajtur fjalën e rastit , duke u ndalur në momente të rëndësishme të jetës së mjekut Koço Gliozheni . Doktor Gliozheni ka lindur më 27 Korrik 1913 në Korçë në një familje me tradita në fushën e mjekësisë. Mbas mbarimit të studimeve me rezultate të shkëlqyera në Liceun francez të Korçës, vazhdon studimet për mjekësi në Universitëtin e Athinës për Obstetër - Gjinekologji. Koço Gliozheni punon si mjek kirurg dhe Drejtor i Spitalit Ushtarak në Korçë. Karriera e tij në mjekësi vazhdon në Tiranë si drejtues në institucionet e mjekësisë. Pas viteve të gjata në mjekësi doktor Gliozheni zgjidhet shef i katedrës së Obsetrikë - Gjinekologjisë. Pas një pune të gjatë, të lodhshme por dhe shumë të suksesshme lë pas një eksperiencë të pasur për tËu ndjekur nga brezat e rinj si dhe ka lënë libra me vlerë në fushën e mjekësisë. Mjeku Obstetër- Gjinekolog z. Mishel Papakozma, ka folur mbi aktivitetin e tij në fushën e mjekësisë. Tipari kryesor që lidhet me profesionin e jetës së tij mbetet karakteri i tij human, përkushtues, dashamirës, sakrifikues, i ndershëm dhe altruist. Koha kur ai punoi si mjek kirurg obstetër-gjinekolog përkon me nje periudhë me problemsh dhe mungesash ekonomike, sociale, kulturore e të rritjes demografike, të cilat shpesh reflektoheshin në qindra e mijëra raste lindjesh, operimesh të vështira dhe të komplikuara. Ngarkesën profesionale, ligjore e morale të tyre mund t'i përballonin shumë pak mjekë, të tillë si profesor Koço Gliozheni, i cili jo vetëm që iu përgjigj me gjithë kapacitetin e intelektit dhe përvojës mjekësore situatës problematike të të gjithë vendit, por në punë e sipër ai eksperimentoi e aplikoi për të parën herë teknologjinë e përparuar me sisteme të reja të aparaturave që përmirësuan nivelin dhe eficiencën e proceseve përtëritëse të jetës. Ai konsolidoi një profil me integritet profesional e moral të dalluar ,sidomos në punën e tij administrative,pedagogjike e shkencore. Doktor Gliozheni ka qënë i pakursyer në transmetimin e disiplinave shkencore mjekësore te vet brezat e studentëve që përgatiti. Duke vlerësuar meritat dhe aktivitetin e tij si një profesor i shquar i mjekësisë shqiptare, Këshilli I Qarkut e nderoi me titullin " Nderi i Qarkut Korçë" (pas vdekjes) , të cilën Kryetarja e Këshillit të Qarkut Znj Irena Nikaj ia dorëzoi djalit të tij obstetër-gjinekologut të mirënjohur z. Orion Gliozheni. Veprimtaria ka vazhduar me mbresa dhe kujtime nga të pranishmit në sallë, ndërsa në mbyllje të pranishmit kanë trokitur gotat në kokteilin e shtruar në mjediset e gjelbra të Këshillit të Qarkut.