Forum Urban



Në 12 dhjetor, në ambjentet e Teatrit A.Z.Çajupi Korçë, u organizua Forumi Urban duke u mbështetur në programin e Qeverisë Shqiptare "Rilindja e qyteteve të bashkëjetesës komunitare". Ky program ka si qëllim zhvillimin e mëtejshëm të qendrave urbane dhe synon të sjellë në vëmendjen e qytetarëve rëndësinë e panoramas së re urbane të qyteteve.Ndër pjesemarrësit e këtij forumi urban përmendim : Zv.kryeministri Niko Peleshi, Këshilltari i Kryeministrit Artan Shkreli, Kryebashkiaku Sotiraq Filo, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë znj. Irena Nikaj, Prefekti i Korçës z. Ardit Konomi arkitektë e urbanistë të qytetit si edhe intelektualë e qytetarë të shumtë korçarë. Në fjalën e tij Zv.kryeministri Peleshi theksoi edhe njëherë nevojat bazike për të cilat ka ende nevojë vendi yne, gjë që e ben edhe me të rëndësishme që çdo vit e më tepër të investohet në ato projekte që sjellin vlera të bashkëjetesës qytetare. Zv.kryeministri u nxorri në pah rëndësinë e harmonizimit të vlerave të trashëguara me ato bashkëkohore dhe të shëndetshme ekonomikisht. Ai beri me dije se për vitin e ardhshëm do të akordohen 125 milion dollarë për zhvillimin e qyteteve, porse nuk do të ndryshojë vetëm fondi për investimet urbane, por do të ndryshojë gjithashtu edhe filozofia me të cilën do të kryhen këto investime pasi nje rëndësi e veçantë do ti kushtohet edhe trashëgimisë kulturore të qyteteve tona. Në fjalën e saj Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë në fjalën e saj vlerësoi këtë program largpamës të Qeverisë Shqiptare parë nga të gjitha këndvështrimet përfshirë edhe ai social. Ajo theksoi se ndryshe nga ruralizimi i qyteteve të tjera, në Korçë ka bashkëjetuar tradicionalja me modernen, por urbane e padyshimtë. Më tej ajo shtoi se kjo është qeverisja e parë që udheheq proceset e zhvillimit urban, në ndryshim nga qeverisjet e mëparshme që zvariteshin pas ndryshimeve kaotike, spontane dhe agresive urbane. Korça më tepër se çdo qytet tjetër në Shqipëri ka ditur të pranojë ndryshimin dhe zhvillimin.