Vizita e ambasadorit të Australisë për Shqipërinë ne Institucionin e Këshillit të Qarkut



Kryetarja e Këshillit të Qarkut të Korçës, znj. Irena Nikaj, priti në një takim ambasadorin e Australisë për Shqipërinë , Shkëlqesinë e Tij z. Mike Rann. Në këtë takim, znj. Nikaj i uroi së pari mirëseardhjen ambasadorit dhe më pas bëri një prezantim të përgjithshëm të qarkut të Korçës duke nxjerrë në pah vlerat më të spikatura të Korçës si rajon, prioritetet, interesat, zhvillimin, synimet, situatën e biznesit vizionin për zhvillimin e turizmit etj. Ndër të tjera ajo tha: "Qarku ynë është një rajon me tradita dhe vlera të njohura historike, qytetare, artistike kulturore të mrekullueshme për të cilat është pak të krenohesh. Korça është djepi i arsimit, dijes dhe kulturës; i qytetarisë, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit; i trashëgimisë, traditës dhe modernizmit, i besimit tolerancës dhe bashkëpunimit. Për më tepër ky qark është i bekuar me burime dhe vlera natyrore të konsiderueshme. Duke marrë shkas nga ky sfond i pasur kulturor dhe mjedisor, vizioni ynë është gjallërimi dhe promovimi i kësaj trashëgimie kulturore dhe traditave më të mira rajonale të gërshetuara me hapa progresistë dhe modernë të kohës. Në këndvështrimin tonë, ato përbëjnë asete me vlera të jashtëzakonshme atraktive që do ti japin një shtysë të konsiderueshme zhvillimit të turizmit. Pikërisht promovimi i këtyre vlerave mund të shihet si pika strategjike dhe elementë kyç për projekte kombëtare dhe ndërkombëtare në fusha të ndryshme ndërkulturore historike, turistike, sociale, bujqësore etj". Nga ana e tij, ambasadori shprehu vlerësimin e tij për punën e kryer për promovimin e turizmit dhe hodhi ide të ndryshme për ti dhënë shtysë zhvillimit. Më pas ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit si element i rëndësishëm si në zhvillimin e brendshëm po ashtu edhe në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Nën një frymë optimiste dhe shpresëdhënëse, z.Rann shprehu gatishmërinë e tij për një bashkëpunim akoma më të suksesshëm në të ardhmen. Në fund të takimit, Kryetarja e Këshilli të Qarkut i dhuroi ambasadorit një dhuratë simbolike.