"Dialogu ndërkufitar mbi energjinë - Drejt një Platforme Rajonale Veprimi Shqipëri-Maqedoni"



Më datë 12 Shkurt 2015 u zhvillua në Korçë konferenca rajonale me temë "Dialogu ndërkufitar mbi energjinë - Drejt një Platforme Rajonale Veprimi Shqipëri-Maqedoni", të organizuar në kuadër të projektit ndërkufitar "Iniciativa për rritjen e dialogut publik për përdorimin e qëndrueshëm të energjisë". Ky event mblodhi së bashku mbi 60 aktorë të rëndësishëm vendorë në katër rajone kufitare të Korçës dhe Pogradecit në Shqipëri dhe Manastirit dhe Kërçovës në Maqedoni, me qëllim nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit drejt hartimit dhe zbatimit të Platformës së Përbashkët Rajonale të Veprimit për përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në rajon si dhe shkëmbimin e eksperiencave më të mira. Gjatë konferencës u nënshkrua dhe një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet katër bashkive të përfshira në projekt si dhe dy organizatave që zbatojnë programin. Nëpërmjet këtij dokumenti, drejtuesit e këtyre institucioneve të rëndësishme vendore, shprehën vullnetin dhe angazhimin e tyre për realizimin e këtyre platformave për veprim. Kjo ceremoni u ndoq nga disa media lokale duke siguruar vizibilitet dhe ndërgjegjësimin e duhur tek publiku i gjerë. Konferenca prezantoi gjithashtu gjetjet e para të ekspertëve të kontraktuar në këtë projekt, të cilat do të shërbejnë për finalizimin e platformave rajonale të veprimit në sektorin e energjisë. Delegacioni maqedonas pati mundësinë të vizitonte gjatë qëndrimit të tij në qytet edhe ambjentet e kopshtit nr. 14, ku është zbatuar ngrohja qendrore nëpërmjet energjisë gjeotermike, një shembull i rrallë në rajon.