BESIMI FETAR DHE FAMILJA SI NJE RRUGETIM



Familja dhe besimi si një bosht i pandarë nga njëri- tjetri marrin një vlerë të vecantë dhe kuptimore në një shoqëri që po transformohet nga zhvillimet dhe ndryshimet e shumta shoqërore.
Sfidat e familjes sot dhe roli i besimit në forcimin e saj ka mbledhur dje në një diskutim të hapur në ambjentet e Këshillit të Qarkut të Korcës, nën organizimin e shoqatës "Në familje për familjen" përfaqësues nga institucionet shtetërore, përfaqësues nga Komunitet Fetare, nga shoqëria civile, studente dhe gazetare.
Përvojat e përçuara nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare kanë shprehur rolin e pazëvëndësueshem që ka luajtur binomi besim - familje, si një binom i rëndësishëm jo vetëm në jetet familjare por edhe në gjithë jetën shoqërore.      
       
Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korcë Znj. Ana Verushi pasi vlerësoi këtë  iniciative, nën optikën e një institucioni nënvizoi se familja është njësia më e rëndësishme shoqërore dhe si e tillë ajo është institucioni qëndror mbi të cilën duhet të ndërtohet shoqëria. Njohja e barazisë dhe përdorimi i konsultimit lejon që elasticiteti i burrit dhe i gruas tiu përgjigjen kërkesave të një bote që ndryshon me shpejtësi.Edhe pse gratë dhe burrat kanë funksione plotësuese në disa drejtime , rolet nuk janë të ndara në mënyre të ngurtë por rregulluese në përshtatje me nevojat e gjithesecilit në familje. Eshtë familja ajo që kalit virtytet, të quajtura nga të gjithat traditat e shenjta si elementet e përbashkët të shpirtësisë, pasqyrimi i besimit të cdo personi.  
Gjithashtu Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korcë Znj. Ana Verushi në fjalën e saj  theksoi se, besimi dhe përkatësia në grupë të ndryshme shoqërore ndikojnë në përcaktimin e sjelljeve dhe qëndrimeve të njerëzve në marrjen e vendimeve gjatë jetës së tyre. Fenomeni i radikalizmit fetar dhe simptomat shoqëruese të tij i ndjerë gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri dhe me gjerë, ka kthyer në një rëndësi të vecantë matjen e pulsit tek të rinjtë, në lidhje me perceptimet dhe përvojat e tyre në lidhje me  fenë dhe nëse harmonia fetare qëndron ende  kryefjala e sjelljes së tyre.  Tronditja ose dëmtimi i besimit përbën fenomenin social më të madh të jetës shpirtërore shqiptare, që shoqëroi shkatërrimin e sistemit të vjetër dhe fillimin e demokracisë pluraliste, ekonomisë  së tregut dhe lirisë të ndërgjegjes. Duket se një nivel i caktuar besimi dhe mosbesimi është i domosdoshëm për një funksionim të shëndetshëm të ekonomisë, politikës dhe shoqërisë.
Në këtë kontekts, të nevojës për besim social, familja, institucionet shoqërore dhe ndër të parat institucionet fetare, kanë mision të punojnë për ringjalljen e besimit në historinë tonë, në vlerat nacionale, në  vetja e tek njëri - tjetri, tek institucionet dhe tek proceset e forcimit të shtetit. Ne kemi nevojë për një psikologji me optimiste, pozitive dhe konstruktive pasi pesimizmi, negacioni dhe destruktivizmi kanë fituar terren në vite.
Në përfundim të fjalës së saj Znj. Ana Verushi nënvizoi se Familja dhe Besimi dy koncepte të lidhura ngushtë : e para është institucioni shoqëror që përmes vlerave na mëson si të bëhemi njerëz, kurse Besimi qofte ai fetar, qoftë ai social na bën të ndihemi njerëz!